Diplomacia mbi luftën, presidenti amerikan preferon marrëveshje, teksa Izraeli vijon sulmet në Liban

Diplomacia mbi luftën, presidenti amerikan preferon marrëveshje, teksa Izraeli vijon sulmet në Liban

Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të goditur Iranin nëse do ta konsideronin të nevojshme. Ai tha se një operacion i tillë mund të shkatërronte shpejt objektivat iraniane, por paralajmëroi se kostoja në jetë njerëzish do të ishte shumë e madhe.

“Shumë njerëz do të vriten. Kush dëshiron ta bëjë këtë? Unë jo”, u shpreh Trump, duke theksuar se diplomacia mbetet alternativa më e mirë. Sipas tij, një marrëveshje politike do të ishte më e fortë dhe më efektive se çdo ndërhyrje ushtarake.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për paqe në rajon ishin në qendër të takimit mes shefit të ushtrisë libaneze dhe homologut të tij pakistanez, ndërsa Islamabadi vazhdon rolin ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit. Konflikti në Liban mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Teherani kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë edhe situatën në këtë vend.

Ndërkohë, ushtria izraelite goditi qytetin e Tiros në jug të Libanit, vetëm pak orë pasi kishte bërë thirrje për evakuimin e plotë të zonës. Sulmet shkaktuan viktima dhe largimin e banorëve nga shtëpitë e tyre, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit. Irani paralajmëroi se do të rifillojë goditjet ndaj Izraelit nëse sulmet në Liban vazhdojnë, ndërsa të dyja palët kanë njoftuar pezullimin e përkohshëm të veprimeve ushtarake pas thirrjeve të presidentit amerikan.

Trump deklaroi gjithashtu se SHBA-ja dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje të rëndësishme për programin bërthamor iranian, e cila sipas tij do të pengojë zhvillimin e armëve bërthamore dhe do të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, ushtria amerikane ka nisur hetimet për rrëzimin e një helikopteri Apache pranë brigjeve të Omanit, ndërsa ka konfirmuar se dy anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. /rtsh/

Share This