
Blerta Deliu-Kodra: Mbështes protestën e 7 gushtit kundër Gjykatës Speciale, kjo është fyerje për Kosovën
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, të enjten, ka deklaruar mbështetjen e saj të fuqishme për protestën e paralajmëruar më 7 gusht, e cila do të mbahet kundër Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra ka vlerësuar se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj fillestar dhe, sipas saj, po minon besimin në drejtësi.
“Katër vjet e gjysmë në paraburgim, pa vendim përfundimtar. Prova të fabrikuara nga Serbia. Kjo nuk është drejtësi, është fyerje për Kosovën dhe sakrificën e çlirimtarëve tanë”, shkruan deputetja.
Ajo thekson se si përfaqësuese e popullit, qëndron në anën e çlirimtarëve dhe do të jetë pjesë e protestës që do të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së të cilët po përballen me drejtësinë ndërkombëtare.
“Si deputete, mbështes fuqishëm protestën e 7 gushtit. Me çlirimtarët, përballë padrejtësisë! Kjo gjykatë ka dalë nga mandati dhe po shkatërron besimin në drejtësi. Protesta është momenti ynë për të thënë: Mjaft! Nuk do të lejojmë të poshtërohet sakrifica jonë!”
Deputetja Deliu-Kodra u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë protestë si shenjë solidariteti dhe përpjekjeje për mbrojtjen e dinjitetit të luftës së Kosovës.
“Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën,” përfundon ajo.


