Miftaraj reagon ashpër ndaj Hajdarit: Ka dëshmuar injorancën dhe mungesën e integritetit institucional

Miftaraj reagon ashpër ndaj Hajdarit: Ka dëshmuar injorancën dhe mungesën e integritetit institucional

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres në detyrë të Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, e cila pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, ka pohuar se kjo e fundit “nuk ka të drejtë të marrë dokumente sekrete”.

Në një postim në Facebook, Miftaraj ka vlerësuar se një deklaratë e tillë tregon “nivelin e injorancës së saj dhe të atyre që e këshillojnë”.

“Në drejtësinë penale mosnjohja e ligjit nuk të amniston nga përgjegjësia penale. Shto faktin se ministria që ajo ka udhëheq dhe qeveria i kanë dhënë qasje një qytetari (bukëpjekësi) mu në këto dokumente sekrete,” shkroi Miftaraj.

Ai ka theksuar se rasti është dëshmi e qartë e mungesës së integritetit politik dhe institucional, duke e konsideruar të papranueshme që figura të tilla mbajnë përgjegjësi të larta në shtet.

“Kosova nuk e meriton që persona të tillë të marrin përgjegjësi të tilla politike dhe është dëshmi e gjallë se sa pak integritet kanë këto institucione,” përfundoi ai.

Deklarata e Miftarajt vjen në kohën kur rritet presioni publik për transparencë dhe përgjegjësi pas dyshimeve për shpërdorim dhe manipulim me dokumente të klasifikuara në nivel qeveritar.

Share This