
BE dhe G7 drejt miratimit të një huaje 140 miliardë euro për Ukrainën, e mbështetur mbi asetet e ngrira ruse
Udhëheqësit evropianë dhe anëtarët e G7-ës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, po afrohen me një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një huadhënie prej 140 miliardë eurosh, e garantuar nga asetet e ngrira të bankës qendrore ruse, një lëvizje që shihet si vendimtare për përpjekjet mbrojtëse të Kievit.
Propozimi, i hartuar nga Komisioni Evropian, u diskutua javën e kaluar në takimin e ministrave të financave të G7 në Uashington dhe pritet të debatohet të enjten në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel. Marrëveshja mund të finalizohet deri në fund të vitit.
Sipas planit, Ukraina do të marrë një kredi pa interes, e mbështetur mbi interesat nga asetet e ngrira ruse që gjenden kryesisht në Euroclear në Belgjikë. Kredia do të shlyhet përmes dëmshpërblimeve që pritet të paguajë Rusia pas përfundimit të konfliktit. “Ajo që propozojmë nuk është konfiskim,” tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, deklaroi se një marrëveshje është e arritshme: “Ose do të përdorim paratë e agresorit, ose të tonat. Mos më pyesni cilën preferoj.”
Ukraina ka pasur një deficit të qëndrueshëm buxhetor gjatë luftës, duke kërkuar mbështetje nga aleatët perëndimorë. Vetëm për vitin 2026, ajo vlerëson se i nevojiten 50 miliardë dollarë në mbështetje të jashtme. BE-ja vlerëson se një injeksion urgjent fondesh do të nevojitet që nga prilli i vitit 2026, për shkak të mungesës së progresit në bisedimet e paqes.
Belgjika, ku ndodhen rreth 183 miliardë euro nga asetet e ngrira, ka kërkuar garanci se nuk do të mbetet e vetme në rast të ndonjë kolapsi financiar apo sfidash ligjore që mund të lindin nga kjo skemë.
Mbretëria e Bashkuar, ndonëse zotëron pak asete ruse, pritet të kontribuojë në skemën e garancive të borxhit për të siguruar përfshirjen e Belgjikës. Diskutimet po vazhdojnë edhe për rolin e SHBA-së, e cila zotëron vetëm 7 miliardë dollarë asete të ngrira dhe ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. /rtsh/


