
Zelensky: Marrëveshja e paqes e negociuar me amerikanët mund të finalizohet brenda pak ditëve
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se propozimet për një marrëveshje paqeje, të negociuara me zyrtarë amerikanë për të ndalur luftën gati 4-vjeçare të Rusisë në Ukrainë, mund të finalizohen brenda pak ditëve.
Pas kësaj, emisarët amerikanë do t’ua paraqesin ato Kremlinit, para takimeve të mundshme të mëtejshme në SHBA javën e ardhshme.
Plani i diskutuar në bisedimet e Berlinit të hënën është “jo perfekt”, por “shumë i zbatueshëm”, tha Zelensky për gazetarët.
Ai paralajmëroi se disa çështje kyçe, veçanërisht fati i territoreve ukrainase të okupuara nga Rusia, mbeten të pazgjidhura.
Përpjekjet amerikane për paqe po marrin hov, por presidenti rus Vladimir Putin mund të refuzojë disa propozime, duke përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës.
Zelensky tha se pas bisedimeve në Berlin, “jemi shumë afër garancive të forta të sigurisë”.
Propozimi bazohet në ndihmën perëndimore për të mbajtur ushtrinë ukrainase të fortë, me Evropën që do të drejtojë një forcë multinacionale për mbrojtjen tokësore, detare dhe ajrore, ndërsa SHBA-ja do të udhëheqë mekanizmin e monitorimit të armëpushimit.
Kremlini përsëriti të martën se Rusia dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, jo një armëpushim të përkohshëm.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Rusia nuk do të pranojë zgjidhje të përkohshme që i japin Ukrainës kohë për t’u përgatitur për vazhdimin e luftës, por dëshiron të arrijë qëllimet e saj dhe të sigurojë paqen afatgjatë në Evropë.
Zyrtarët amerikanë thanë se ka konsensus nga Ukraina dhe Evropa për rreth 90% të planit amerikan. Presidenti Donald Trump deklaroi se “Mendoj se tani jemi më afër se kurrë” një marrëveshjeje paqeje.
Megjithatë, pengesat mbeten, sidomos çështja territoriale.
Zelensky përsëriti se Kievi refuzon njohjen e kontrollit rus mbi Donbasin. Amerika ka propozuar një “zonë ekonomike të lirë” në Donbas, por Zelensky theksoi se kjo nuk do të thotë nën kontrollin rus.
Putini kërkon njohjen e territoreve të pushtuara dhe Krimenë si ruse.
Nëse Putini refuzon, Zelensky pret presion më të madh perëndimor ndaj Moskës, përfshirë sanksione dhe ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Ukraina dhe SHBA-ja po përgatisin deri në pesë dokumente për paqen, shumë prej tyre për sigurinë. Zelensky ishte optimist për unitetin e shfaqur në Berlin mes SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës. /rtsh/


