
Basha: Konsensus i plotë, nënkryetarët e Kuvendit votohen në pako
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, ka bërë të ditur se gjatë diskutimeve për seancën e nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës është arritur konsensus që të shkohet në pako për pesë nënkryetarët, derisa tha se ka pasur konsesnus edhe për votimin e kryetarit dhe raportit përkatës.
“Propozim i të gjitha partive politike apo liderëve të partive të komuniteteve jo shumicë, joserbe ishte i qartë, që të shkohet në votim në pako, pra në pako të votohet për pesë nënkryetarët. Ka pasur konsensus edhe për raportin, kryetarin/en, ka pasur konsensus të votohet në pako për të pesë nënkryetarët. Pritet themelimi i institucioneve shumë shpejt, pastaj të vazhdohet edhe me votimin e qeverisë dhe pastaj sigurisht siç e dini na pret votimi i buxhetit, i marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Basha, raporton rtk.
Ndërkohë, Basha njoftoi se ora e mbajtjes së seancës plenare është ndryshuar, me kërkesë të deputetes Vlora Çitaku, për shkak të fjalës përfundimtare të mbrojtjes në rastin kundër ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Të gjitha partitë kanë pranuar që seanca të mbahet në orën 17:00.


