
Bajrami: Thirrjet për ‘siguri dhe begati’ janë mbrojtje për të korruptuarit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj sloganeve dhe thirrjeve politike që, sipas saj, synojnë mbrojtjen e individëve të përfshirë në afera korruptive.
Në një deklaratë publike, Bajrami tha se “siguria” po kërkohet për Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqin, ndërsa “begatia” për atë që ajo e quajti “mafia energjetike”, duke përmendur kompaninë NOA, Vuk Hamoviqin dhe Demir Fazliqin.
Sipas Bajramit, këto thirrje janë një përpjekje për të mos “lëshuar pe” në mbrojtje të, siç u shpreh ajo, secilit të korruptuar, secilit që ka vjedhur, secilit që ka nënshkruar kontrata njëburimore dhe secilit që ka keqpërdorur rezervat shtetërore.
“Po bëhen thirrje që të mos lëshohet pe përballë korrupsionit dhe keqpërdorimeve,” deklaroi Bajrami, duke shtuar se kjo qasje përbën një mburojë politike për afera të rënda.
Ajo theksoi se, sipas vlerësimit të saj, “fillimi i fundit i Vetëvendosjes dhe i Albin Kurtit ka nisur më 9 shkurt dhe do të përfundojë më 28 dhjetor”.
Deklarata e Bajramit vjen në një kohë debatesh të ashpra politike lidhur me sektorin e energjisë dhe akuzat për korrupsion në institucionet publike.


