
Artan Nimani i NISMA-s e demanton Kurtin: S’kemi diskutuar për asnjë ofertë
Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate, ka demantuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ia kishte bërë një ofertë kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të bashkëqeverisur.
Kurti gjatë një tubimi me diasporën në Londër ka thënë se Nismës ia kishte ofruar postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.
Lidhur me këtë Nimani deklaroi se Nisma nuk ka kërkuar ofertë dhe kjo e Kurtit as që është diskutuar.
Ai tha se Nisma ka deklaruar dhe ka respektuar marrëveshjen për postin e kryetarit të Kuvendit, por jo për këtë pozicionim të Kurtit që e deklaroi vetë ai.
“Është vërtetë interesant që ne nuk kemi diskutuar fare për ofertë dhe nuk kemi kërkuar oferta nga Kurti. Kjo tregon më së miri atë shpirtngushtësinë e njeriut që nuk është i interesuar që t’i formojë institucionet, sepse nëse ka pasur oferta të tilla… nuk janë për opinionin publik – janë oferta të diskutimit në tryeza. Ne kemi qenë shumë të qartë, kemi kërkuar që të respektohet marrëveshja, të cilën LVV-ja e ka pasur me Nismën, e cila ka pasur të bëj me postin e kryeparlamentarit. Në asnjë rrethanë, në asnjë rast, në asnjë bisedim apo në asnjë forum tonin nuk është diskutuar për pjesëmarrjen e Nismës në ekzekutiv. Ne me Nismën nuk e kemi diskuar në asnjë moment këtë pozicionim të Kurtit”, tha Nimani në Tëvë1.


