
Arabia Saudite njofton se ka neutralizuar 63 dronë iranianë, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit rriten
Arabia Saudite ka njoftuar se Irani ka rifilluar fushatën e tij me dronë kundër Mbretërisë, duke lëshuar valë sulmesh që përfshijnë rreth 63 dronë armiqësorë vetëm të hënën.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se të gjitha dronët, të cilët kishin në shënjestër Provincën Lindore dhe kryeqytetin Rijad, u kapën dhe u shkatërruan.
Zëdhënësi i Ministrisë, gjeneralmajor Turki Al-Maliki, publikoi njoftimet në platformën X duke filluar nga ora 2:22 e mëngjesit, ku konfirmoi se mbrojtja ajrore saudite ka neutralizuar çdo mjet ajror.
Sulmet erdhën vetëm disa orë pasi ambasadori iranian në Arabinë Saudite, Alireza Enayati, u përpoq të shmangte përgjegjësinë e Teheranit, duke shpërndarë një deklaratë të atribuar komandës ushtarake iraniane.
Në të thuhej se “armiku” po përdorte dronë të maskuar si Shahed iranianë, nën emrin “Lucas drone”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, numri i përgjithshëm i dronëve të interceptuar në Mbretëri ka kaluar shifrën 230, ndërsa janë rrëzuar gjithashtu mbi 30 raketa.
Sulmet iraniane kanë ndjekur një model të përsëritur: goditje gjatë natës të ndërprera nga qetësi gjatë ditës.
Edhe shtetet fqinje të Gjirit kanë raportuar bilance të rënda.
Bahreini njoftoi se ka interceptuar 125 raketa dhe 203 dronë, me dy viktima në vend dhe 24 të tjerë në rajon. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se kanë përballuar 294 raketa balistike, 15 raketa lundrimi dhe 1,600 dronë, duke regjistruar gjashtë viktima.
Zyra e Medias në Dubai konfirmoi të hënën se ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur të shuajnë një zjarr të shkaktuar nga goditja e një droni në një rezervuar karburanti pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait. Operacionet në aeroport janë pezulluar përkohësisht. /rtsh/


