
Përmbytje dhe rrëshqitje dherash në Pakistan, Kashmir dhe Nepal. Mbi 400 viktima, me qindra të zhdukur
Shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje të papritura të ndodhura në Pakistan, Kashmir dhe Nepal, kanë shkaktuar më shumë se 400 viktima, ndërsa me qindra të tjerë raportohen të zhdukur.
Situata më dramatike është në Pakistan, ku në rajonin e Bunerit rrëshqitjet e dheut kanë varrosur komunitete të tëra.
“Mbi 120 trupa janë nxjerrë vetëm nga kjo zonë deri më tani. Vetëm pak ditë më parë, këtu kishte një komunitet të gjallë. Tani, nuk ka asgjë tjetër përveç grumbujve të mëdhenj me gurë dhe mbeturina”, thanë autoritetet.
Në Kashmir të paktën 60 persona vdiqën dhe më shumë se 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur në qytetin Chashoti, një destinacion popullor pelegrinazhi për turistët hindu.
Të paktën 41 persona humbën jetën në Nepal, ndërsa 121 të tjerë mbetën të plagosur.

Sipas parashikimeve, shirat e fuqishëm pritet të intensifikohen në ditët në vijim, duke rritur frikën për përmbytje të reja. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike kanë përkeqësuar musonet, duke rritur intensitetin e tyre gjatë viteve të fundit në zonën e Himalajeve.
Ndërkohë, forcat e shpëtimit në të tre vendet po punojnë për të gjetur të mbijetuarit dhe për të nxjerrë trupat e viktimave. /rtsh/


