
AME: 57 vatra zjarri sot në vend, dy mbeten aktive
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 57 vatra zjarri.
Nga to, 55 janë lokalizuar, ndërsa dy vazhdojnë të jenë aktive.
Në njoftim theksohet se me përmasa më të mëdha dhe rrezik më të lartë është shënuar zjarri në lagjen “Pajtimi” në Shtime, ku disa qytetarë janë detyruar të marrin trajtim mjekësor si pasojë e ekspozimit ndaj tymit.
Agjencia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar:
“Apelojmë tek qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, të denoncojnë pranë organeve ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme dhe të raportojnë rastet emergjente në numrat 112, 193 dhe 192”, thuhet në njoftim.


