
Osmani: Regjimi i Vuçiqit mban peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur kërkesën që partnerët ndërkombëtarë ta rrisin presionin mbi Serbinë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës ne Kosovë.
Osmani, në një shkrim në Facebook, ka theksuar se regjimi i Aleksandar Vuçiqit në Serbi vazhdon të flejë mbi varreza masive, duke mbajtur peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Varret e hapura janë dëshmi e gjallë e krimeve të luftës dhe krimit te përsëritur nga regjimi gjenocidal serb, si dhe kujtesë e përditshme se drejtësia nuk është vënë ende në vend. Për sa kohë sa mijëra qytetarë tanë mbesin të zhdukur, paqja mbetet e paplotë. Regjimi i Vuçiqit vazhdon të fle mbi varreza masive, duke mbajtur peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve.”, ka shkruar ndër të tjera Osmani, raporton rtk.
Gjatë luftës në Kosovë janë zhdukur me forcë rreth 6 mijë persona, prej tyre rreth 1 mijë e 600 janë ende të pagjetur.


