
Rama: Bllokimi i buxhetit nga Ministria e Financave, puro politike
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese, lëndë kundër Ministrisë së Financave, për bllokimin e buxhetit që, sipas tyre, është puro politike.
Rama tha se, fondet i takojnë komunës e qytetarëve të kryeqytetit. Sipas tij, përgjatë 4 viteve ka hasur në bllokada të shumta.
“Kemi një bllokadë puro politike. Fondet tona që me ligj i takojnë kryeqytetit, qytetarëve të kryeqytetit janë të bllokuara tash e 9 muaj. E keni parë gjatë këtyre 4 viteve në instanca të ndryshme që kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme prej fillimit, prej unazës së kryeqytetit ku e kanë bllokuar procesin, ku 82.4 milionë prej 206 milionësh kanë qenë falas, por ja që për çështje puro politike ministri Murati e ka bllokuar procesin prej para tre vite e gjysmë. I njëjti ka vazhduar të bllokojë edhe procese të tjera kur e ka parë që ne si kryeqytet po transformohemi”, tha ai, raporton rtk.
Rama, ka treguar se kanë përgatitur padi edhe për ministra të tjerë. Ai tha se nuk është e vërtetë që alokimi i mjeteve nuk po bëhet për shkak të bllokadës në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, nënkryetari Shkëmb Manaj tha se cenimi i buxhetit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse cenohet buxheti i komunës së Prishtinës, jeta e qytetarëve dhe gjitha projektet e komunës së Prishtinës. Vetëqeverisja lokale është e garantuar me Kushtetutë, Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe legjislacionin në fuqi. Kjo bllokadë është puro politike dhe kërkojmë nga kushtetuesja që rastin tonë ta trajtojë me prioritet”, tha Manaj.


