
Albin Kurti pret në takim Anu Prattipati, ja çfarë u bisedua
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në zyrën e tij të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, njofton Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit të ZKM-së, znj. Prattipati e ka uruar Kurtin për formimin e Qeverisë dhe për mandatin e ri. Në takim është diskutuar për raportet bilaterale dhe potencialin e madh të tyre, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe investimeve, por edhe në fusha të tjera si sundimi i ligjit, siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Kryeministri ka shprehur mirënjohjen për urimet dhe bashkëpunimin e deritanishëm me znj. Prattipati dhe Ambasadën amerikane në Kosovë, duke theksuar gatishmërinë e plotë të tij dhe të kabinetit të ri qeveritar për të vijuar dhe avancuar këtë bashkëpunim, përfshirë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjatë takimit Kryeministri, ndër të tjera, theksoi se Republika e Kosovës dhe qeveria që ai drejton mbeten të përkushtuara ndaj synimeve për integrim në BE dhe NATO, si dhe angazhohen për paqe dhe siguri në rajon dhe aleanca të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike”, thuhet në njoftim.


