
Abdixhiku: Prishtinën e bllokuan, LDK i la bllokuesit larg
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ndërprerjes së transportit urban në Prishtinë, duke theksuar se LDK nuk ka lidhje me bllokuesit dhe se qyteti nuk mund të përdoret për “beteja primitive”.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku shkruan se mesazhi i Prishtinës nuk u kuptua ende dhe do të ripërsëritet më 28 dhjetor.
Ai akuzon strukturat aktuale për mosmenaxhim të Kryeqytetit gjatë vitit të kaluar, duke e mbajtur Prishtinën “pa buxhet” dhe duke shpërndarë ndihma pa ligj dhe legjitimitet.
Abdixhiku thekson se koha e tyre po mbaron dhe bën thirrje për bashkim: “Prishtina do të flasë sërish; e para”.
Postimi i Abdixhikut:
“Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij.”
“Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot.”
“Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision.”
“Koha e tyre po mbaron. Le të bashkohemi të gjithë. Prishtina do të flasë sërish; e para.”
Ky reagim vjen në një situatë tensioni për shkak të ndërprerjes së shërbimeve urbane dhe sfidave administrative në kryeqytet.


