
Arteta i bindur: “Këtë sezon do të fitojmë një trofe”
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka shprehur besimin e tij të palëkundur se sezoni 2025/26 do të sjellë më në fund një trofe për “Topçinjtë”.
“E dimë mirë cilat janë objektivat dhe çfarë duam të arrijmë këtë sezon. Besojmë fort në aftësinë tonë për t’i realizuar,” tha Arteta në një deklaratë për media.
Pas tri sezonesh me vendin e dytë në Premier Ligë dhe pa ndonjë trofe të madh, pritshmëritë janë të mëdha në “Emirates Stadium”.
Arteta theksoi se sukseset kanë qenë shumë afër në vitet e fundit, por këtë sezon gjithçka do të varet nga përkushtimi i ekipit: “Kemi qenë afër, shumë afër… por këtë herë do të jetë skuadra që do të vendosë.”
Arsenali ka investuar rreth 230 milionë euro gjatë merkatos verore për të forcuar skuadrën. Ndër përforcimet kryesore janë sulmuesi Viktor Gyokeres, mesfushorët Martin Zubimendi dhe Christian Norgaard, mbrojtësi Cristhian Mosquera, anësori Noni Madueke dhe portieri Kepa Arrizabalaga.
Me një skuadër të përforcuar dhe objektiva të qartë, Arsenali synon që më në fund të rikthehet te trofetë.


