Malisheva mposht Prishtinën në ‘Fadil Vokrri’

Malisheva mposht Prishtinën në ‘Fadil Vokrri’

Prishtina ka pësuar humbje të papritur para tifozëve të saj, duke u mposhtur 0-2 nga Malisheva në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës.

Edhe pse vendasit konsideroheshin favoritë, skuadra bardhekaltër nuk arriti të shfaqë lojën e zakonshme, duke u ndëshkuar që në minutat e para të takimit.

Assane Diatta, pas vetëm pesë minutash lojë, shënoi golin e tij të parë me fanellën e Malishevës, duke i dhënë epërsinë mysafirëve.

Malisheva vazhdoi me lojë të disiplinuar dhe konkrete, ndërsa në minutën e 20-të gjeti golin e dytë. Altin Aliu realizoi saktë nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin dhe tri pikët për ekipin e drejtuar nga Arsim Thaqi.

Prishtina dominoi në posedim dhe krijoi disa raste të mira, por mungesa e qartësisë në finalizim bëri që skuadra kryeqytetase të mbetej pa gol dhe pa pikë në këtë ndeshje.

Pas kësaj fitoreje, Malisheva ngjitet në pozitën e pestë me 19 pikë, ndërsa Prishtina mbetet kryesuese e tabelës me 26 pikë, tri më shumë se ndjekësit më të afërt, Ballkani dhe Drita.

Share This