
E kryer, Ardon Jashari është i Milanit, ja detajet e transferimit
Pas javësh të tëra negociatash intensive, AC Milan dhe Club Brugge kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit shqiptar, Ardon Jashari.
Kuqezinjtë kanë mposhtur konkurrencën dhe kanë bindur lojtarin, i cili ka refuzuar çdo ofertë tjetër, duke konfirmuar se dëshira e tij e vetme ishte të transferohej në Milano.
Marrëveshja përfshin pagesën e 34 milionë eurove menjëherë nga ana e Milanit, plus 4.5 milionë euro bonuse – duke e kthyer këtë në shitjen më të shtrenjtë në historinë e një klubi belg.
Negociatat u intensifikuan të hënën, ndërsa të gjitha detajet financiare dhe burokratike u finalizuan gjatë ditës së sotme. Edhe pse Jashari u pa në stërvitje me Bruggen mëngjesin e sotëm, ai nuk është përfshirë në listën për ndeshjen e Champions League ndaj Salzburgut – një sinjal i qartë për largimin e tij të afërt.
23-vjeçari pritet të mbërrijë në Milano brenda orëve të ardhshme për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën pesëvjeçare, që do t’i sigurojë atij një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse.
Ky transferim konfirmon ambiciet e Milanit për të ndërtuar një mesfushë të re dhe konkurruese, ndërsa për Jasharin paraqet hapin më të madh në karrierën e tij deri më tani. /Rekordi.net

