
Presidentja Osmani: Askush s’mund ta njollosë luftën çlirimtare të UÇK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas pranimit të dokumenteve të Serbisë nga Gjykata Speciale në rastin ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë, duke e quajtur shqetësues këtë vendim.
Në një konferencë për media, Osmani ka theksuar se provat e pranuara nga Serbia janë të falsifikuara dhe kanë për qëllim rishkrimin e historisë.
“Është dëshmuar historikisht se çdo provë që e pranon shteti i Serbisë, veçanërisht kundër popullit shqiptar dhe UÇK-së, është e manipuluar”, tha ajo.
Presidentja ritheksoi se asnjë përpjekje nuk mund ta njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Ajo ka qenë një luftë për ta mbrojtur popullin e pambrojtur të Republikës sonë nga forcat gjenocidale të Millosheviqit”, deklaroi Osmani.

