Gashi: Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi

Gashi: Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet më 7 gusht në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç e quajnë ato, “arbitraritetit racist” të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve ushtarakë dhe politikë të UÇK-së.

Sipas organizatorëve, protesta vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në proceset gjyqësore, konkretisht pas pranimit nga ana e Gjykatës Speciale të mbi 1000 dosjeve të ardhura nga MUP-i serb dhe agjencitë e tjera të sigurisë të Serbisë, të cilat tashmë po përdoren si prova në gjykim.

Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike në Kosovë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në “Facebook”, duke e cilësuar përdorimin e dokumenteve të tilla si të papranueshëm dhe në kundërshtim me drejtësinë ndërkombëtare.

“Përdorimi i këtyre dokumenteve si ‘prova’ në gjykata kundër qytetarëve të Kosovës është jo vetëm kundër drejtësisë, por edhe kundër çdo parimi themelor të shtetit ligjor dhe të së drejtës ndërkombëtare,” shkroi Gashi.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës, veçanërisht Kuvendi, kanë përgjegjësi të ndërmarrin hapa konkretë për të ndaluar përdorimin e këtyre materialeve në gjykata, duke propozuar:

Nxjerrjen e një ligji të posaçëm që ndalon përdorimin e dokumenteve të prodhuara nga institucionet represive të Serbisë,

Amandamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara,

Dhe, nëse është e nevojshme, ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.

“Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi,” përfundon Gashi.

Protesta e 7 gushtit pritet të jetë një ndër më të mëdhatë të organizuara pas një periudhe të gjatë, me pjesëmarrje të paralajmëruar nga përfaqësues politikë, veteranë të luftës, qytetarë dhe figura publike nga mbarë trojet shqiptare.

Share This