Stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ do të rinovohet me një investim prej 1.9 milionë euro

Stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ do të rinovohet me një investim prej 1.9 milionë euro

Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë pritet të rinovohet tërësisht falë një investimi prej 1.9 milionë euro, të miratuar sot nga Qeveria e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili njoftoi se projekti përfshin mbulimin e të gjitha tribunave si dhe ndriçimin e fushës sipas standardeve të UEFA-s, konkretisht për Kategorinë 3.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozim/vendimin për financimin e projektit të rinovimit të stadiumit në qytetin tonë, një projekt i shumëpritur që do të përfshijë: mbulesën e të gjitha tribunave dhe ndriçimin e fushës sipas standardeve të UEFA-s (Kategoria 3). Faleminderit Kryeministrit Albin Kurti, Ministrit Hajrullah Çeku dhe Qeverisë së Kosovës për këtë përkrahje të madhe për sportin në Podujevë. Urime gjithë tifozëve dhe sportistëve!”, ka shkruar Bulliqi.

Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive në komunë dhe një shtysë për zhvillimin e sportit vendor.

Rinovimi i stadiumit do t’i hapë rrugë organizimit të ndeshjeve të nivelit më të lartë dhe do të rrisë kushtet për lojtarët dhe tifozët.

Share This