Rahoveci, Kastrioti dhe Besa mësojnë kundërshtarët në garat evropiane

Rahoveci, Kastrioti dhe Besa mësojnë kundërshtarët në garat evropiane

Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, do të fillojë garimin në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë.

Por për ta mësuar kundërshtarin, Rahoveci duhet ta presë përfundimin e ndeshjeve të raundit të parë.

“Vreshtarët” do të përballen me fituesin e ndeshjeve mes Dudelange të Luksemburgut dhe Butelit të Maqedonisë së Veriut.

Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup do të zhvillohen më 11/12 dhe 18/19 tetor.

Kastrioti luan në Luksemburg

Ndërkaq, fituesi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, do të udhëtojë në Luksemburg për ndeshjen e raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Shorti i së martës përcaktoi që Kastrioti të luajë me skuadrën nga Luksemburgu, Red Boys Differdange. Ndeshja e parë luhet në Luksemburg, ndërsa e kthimit në Ferizaj.

Ndeshjet e raundit të dytë të EHF European Cup për hendbollistë zhvillohen në tetor.

Ndeshjet e para janë më 11 e 12 tetor, ndërsa të kthimit më 18 e 19 tetor.

Besa Famgas me kundërshtar nga Turqia

Ndërkohë, edhe Besa Famgas ka mësuar kundërshtarin e raundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë.

Skuadra pejane do të përballet me skuadrën turke, Depsas Enerji, dhe do ta synojë avancimin në raundin e dytë të EHF European Cup.

Ndeshjet e raundit të parë të Kupës Evropiane janë më 6/7 dhe 13/14 shtator.

Besa tashmë ka përvojë shumë të gjatë në skenën evropiane.

Share This