
Irani refuzon bisedimet me SHBA-në: Nuk ka vend për dialog për sa kohë vijon agresioni ndaj nesh
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi (lex. Aragçi), hodhi poshtë të premten mundësinë e mbajtjes së bisedimeve me SHBA-në për sa kohë që Izraeli vijon sulmet ndaj vendit të tij.
“Në mënyrë të përsëritur amerikanët na kanë dërguar mesazhe ku bëjnë thirrje seriozisht për negociata, por e kemi bërë të qartë se për sa kohë nuk ndalet agresioni, nuk do të ketë vend për diplomaci dhe dialog,” u shpreh kryediplomati iranian, i cili ndodhet në Gjenevë për të biseduar me homologët e tij europianë për tensionin e krizës mes Iranit dhe Izraelit.
Një ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump, përmes sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri me dije se gjatë dy javëve të ardhshme kreu i shtetit do të vendosë nëse SHBA-ja do të përfshihet ose jo në luftën e Izraelit kundër Iranit.
Trump ndërkohë ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por shtyrja dyjavore e vendimit përfundimtar u bë pasi ekzistonte mundësia për rinisjen e bisedimeve me Iranin për programin bërthamor të këtij të fundit.
Ndërkaq, luftimet mes Izraelit dhe Iranit vijuan edhe gjatë natës që lamë pas, ku ushtria izraelite bëri me dije se 60 avionë luftarakë të saj kishin goditur shënjestra në Teheran dhe objekte të ndryshme që kanë lidhje me programin bërthamor të Republikës Islamike – mes tyre edhe selinë e Agjencisë së Kërkimit Bërthamor të Iranit.
Sipas një organizate me seli në Uashington që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në Iran, të paktën 657 persona, përfshirë 263 civilë, janë vrarë dhe më shumë se 2 mijë të tjerë janë plagosur në Iran në shtatë ditë luftime me Izraelin.
Ndërkohë, shtatë persona u plagosën këtë të premte në qytetin e Bershebës në jug të Izraelit, pasi një raketë iraniane goditi një park teknologjik. Bersheba ishte shënjestruar nga sulmet raketore iraniane edhe një ditë më parë, ku dhjetëra persona u plagosën pas shpërthimit të shkaktuar në një spital në atë qytet. /rtsh/