
Nis sot konferenca 3-ditore e Sigurisë në Mynih, pjesë e saj edhe Kryeministri Kurti
Nga dita e sotme e deri më 16 shkurt do të mbahet në Mynih të Gjermanisë konferenca e 61-të e Sigurisë, në të cilën do të marrë pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në fokus të Konferencës së Sigurisë në Mynih do të jenë sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë.
Konferenca do të hapet sot nga Presidenti Federal Frank-Ëalter Steinmeier, ku të pranishëm do të jenë liderë të BE-së të cilët do të diskutojnë mbi sfidat e politikës së sigurisë globale nën kryesimin e Christoph Heusgen.
Programi i ditës së sotme do të ketë në fokus sfidat e sigurisë globale, duke përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.
Më 15 shkurt, debatet do të përqendrohen në gjendjen e rendit ndërkombëtar, konfliktet dhe krizat rajonale, si dhe të ardhmen e partneritetit transatlantik.
Konferenca do të përmbyllet ditën e dielë (16 shkurt) me diskutime mbi rolin e Evropës në botë. Në përfundim të kësaj konference, Jens Stoltenberg do të pasojë Christoph Heusgen si Kryetar i ri i MSC.
Kjo konferencë vjen në një moment kyç ndryshimesh, sikurse është administrata e re amerikane, një cikël i ri legjislativ evropian nis në Bruksel, dhe zgjedhjet parlamentare gjermane që mbahen vetëm një javë pas konferencës.
MSC 2025 do të shërbejë sërish si një treg idesh dhe do të krijojë hapësirë për sa më shumë debate të rëndësishme dhe me ndikim.