
Kurti: Moszgjedhja e presidentit na pamundëson strategjinë kombëtare për Hagë
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media tha se mos zgjedhja e presidentit sonte dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme pamundëson edhe strategjinë shtetërore e kombëtare për të kundërshtuar vendimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë ne asnjëherë nuk e kemi ndërlidhur me çështjet e brendshme këtu politike, e as me çështjen e presidentit. Këto janë tema të ndara për neve. Por të dyja janë çështje të interesit të përbashkët shtetëror e kombëtar”, tha Kurti.
“Ata janë dënuar në shkallë të parë ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet. Çështja atje do të marrë kohë e angazhim, e qe besa do edhe shumë nerva dhe s’do të bëjmë kurrëfarë mrekullie pse votojmë një projektligj. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Si për ta bërë edhe më të rëndë, ne me mos votimin e presidentit sonte, mund të shkojmë brenda orësh në zgjedhje”, ka deklaruar kryeministri.
“Ne besojmë në korrigjim në Apel e në anën tjetër një strategji shtetërore kombëtare për të fituar këtë betejë. Ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi drejt atij synimi, e që i kemi të gjithë së bashku. Pra çështja e zgjedhjes së presidentit. Sepse mos zgjedhja e tij ose saj jo vetëm që na çon direkt në zgjedhje por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me Apelin, i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por këtë muaj”, tha ai, duke shtuar se pa president Kosova do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe do të mbetet pa institucione stabile. /rtk/

