Trump: SHBA-ja tani është prodhuesja më e madhe e naftës në botë

Trump: SHBA-ja tani është prodhuesja më e madhe e naftës në botë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja është bërë prodhuesja më e madhe e naftës në botë, pa përfshirë rezervat e mëdha të Venezuelës, të cilat SHBA-ja i ka shtuar së fundmi në rezervat e saj.

Duke folur në një tubim në Dallas të Teksasit, Trump përshëndeti një marrëveshje energjetike që përfshin rezervat e provuara të naftës të Venezuelës, të vlerësuara në 65 miliardë fuçi, duke e cilësuar atë potencialisht si “marrëveshjen më të madhe në historinë e vendit tonë”.

“Tani jemi më të mëdhenjtë në botë dhe kjo pa Venezuelën, të cilën sapo e kemi shtuar në rezervat tona”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë njoftoi detajet e marrëveshjes energjetike, sipas së cilës “North American Blue Energy Partners” (NABEP) do t’i jepte Zyrës së Kapitalit Strategjik të Pentagonit 35 për qind të aksioneve në kompaninë e saj mëmë, pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së do të kishte gjithashtu të drejtën të blinte 20 për qind të prodhimit me çmimin e kostos.

Shtëpia e Bardhë tha se NABEP ka siguruar koncesione 100-vjeçare që mbulojnë 17 fusha nafte ndërsa presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, më herët e kishte përshkruar marrëveshjen si një marrëveshje 25-vjeçare.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja pritet të gjenerojë 200 miliardë dollarë nga honoraret dhe taksat gjatë 25 viteve të para ndërsa fondet do të përdoren për rindërtimin dhe zhvillimin social të Venezuelës.  /atsh/

Share This