Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 për Fazliun, Kilajn e Smakajn dhe 9 muaj për Kuçin

Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 për Fazliun, Kilajn e Smakajn dhe 9 muaj për Kuçin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjatë fjalës përfundimtare në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu me nga 3 vjet burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me 9 muaj burgim.

Prokurori Joshua Hafetz ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast. Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6, nëse do të jepet”, ka thënë Hafetz.

Sipas tij, veprimet e vërtetuara përtej dyshimit të arsyeshëm në këtë rast përbëjnë krime.

“Janë krime për një arsye të qartë; përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate që ekziston këtu në Hagë pikërisht për shkak të së kaluarës së gjerë të frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë”, është shprehur prokurori.

Paraprakisht, Hafetz ka thënë se provat në këtë rast janë të rënda, ndërsa sipas tij, mbrojtja është përpjekur të largojë përmbajtjen e një incizimi.

Share This