Hykmete Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, Kuvendi është vendim për të ardhmen e partisë

Hykmete Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, Kuvendi është vendim për të ardhmen e partisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshim në udhëheqjen dhe funksionimin e partisë, duke e cilësuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të së enjtes si një moment vendimtar për të ardhmen e LDK-së.

Përmes një reagimi publik, Bajrami theksoi se Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes individëve apo si ndarje mes mbështetësve të kryetarit aktual dhe kundërshtarëve të tij, por si një vendim për të ardhmen e përbashkët të LDK-së.

Sipas saj, pyetja kryesore që duhet t’i shtrohet çdo delegati është nëse partia është e kënaqur me gjendjen aktuale, duke nënvizuar se rezultatet zgjedhore të viteve të fundit flasin qartë për nevojën e ndryshimit.

Bajrami rikujtoi se që nga viti 2021, LDK-ja ka dalë e treta në tri palë zgjedhje dhe nuk ka arritur të shënojë fitore as në nivel lokal. Ajo tha se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, ndërsa njëkohësisht kishte dhënë dorëheqje edhe nga posti i nënkryetares, duke e cilësuar përgjegjësinë politike si standard demokratik.

Deputetja e LDK-së vlerësoi se partisë i duhet një model i ri udhëheqjeje, që bashkon, dëgjon dhe respekton mendimin ndryshe, ndërsa meritën dhe kontributin i vendos mbi interesat personale.

Ajo theksoi se LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë e asnjë force politike dhe se duhet të hyjë në zgjedhje me synimin për fitore, e jo duke menduar për koalicionet pas humbjes.

Në deklaratën e saj, Bajrami paraqiti edhe vizionin për një LDK të përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit, drejtësisë së pavarur, ekonomisë së tregut, mbështetjes së sektorit privat dhe orientimit euroatlantik të Kosovës.

Në fund, ajo u bëri thirrje delegatëve që Kuvendin ta shohin si një mundësi për një fillim të ri, duke theksuar se ndryshimi nuk duhet të jetë kundër askujt, por në funksion të ringritjes së LDK-së dhe forcimit të saj si alternativë qeverisëse.

“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës”, përfundoi Bajrami.

Share This