Protestë në Kroaci për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Protestë në Kroaci për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Pas protestave të zhvilluara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, sot nga ora 18:00 pritet të mbahet një tubim edhe në Kroaci, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Organizatorët e protestave kërkojnë lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është shprehur shpresa se këto tubime mund të jenë të fundit, me bindjen se vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të sjellë lirimin e tyre.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar pretendimet e ngritura ndaj tyre.

Vendimi përfundimtar në këtë proces pritet të shpallet më 16 shtator në orën 10:00, raporton rtk.

Në Kosovë dhe në diasporë, që nga fillimi i gjykimit në vitin 2023, janë organizuar disa protesta në mbështetje të tyre.

Share This