
Këshilli i Evropës alarmohet për dhunën policore në Serbi
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me raportimet se mund të ndërpriten procedurat penale ndaj zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për keqtrajtimin e rëndë të një studenteje gjatë protestave të korrikut 2025 në Beograd.
Në një postim në rrjetin X, O’Flaherty shprehet i alarmuar se ndërprerja e ndjekjes penale në raste të sjelljeve kaq serioze të policisë rrezikon të dëmtojë edhe më shumë besimin e qytetarëve te institucionet e rendit dhe ligjit.
Ai shton se një vendim i tillë mund të përforcojë perceptimin e pandëshkueshmërisë për shkeljet e kryera nga zyrtarët shtetërorë, veçanërisht në kontekstin e protestave dhe ushtrimit të të drejtave themelore.
“Ndërprerja e procedimeve penale për shkelje të rënda nga ana e policisë përmes ndjekjes penale të pezulluar rrezikon të dëmtojë më tej besimin te zbatimi i ligjit dhe të përforcojë klimën e pandëshkueshmërisë. Unë bëj thirrje për hetime efikase, ndjekje penale dhe, aty ku duhet, dënime shkurajuese për shkeljet e policisë gjatë protestave në Serbi. /rtk/

