
SHBA lobon për reduktimin e trupave të KFOR-it – “Politico”: Washingtoni po kërkon riorganizim të NATO-s
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, po i bëjnë presion NATO-s që të reduktojë ndjeshëm aktivitetet jashtë territorit tradicional përfshirë përfundimin e një misioni kyç të Aleancës në Irak. Kështu raporton “Politico”, e cila citon katër diplomatë të NATO-s. “SHBA ka lobuar muajt e fundit edhe për të reduktuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, gjë që është shqetësuese për aleatët evropianë.”- shkruhen në artikullin e saj.
Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i autorizuar nga OKB-ja, i njohur si KFOR dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftës në Kosovë, aktualisht përfshin rreth 4500 trupa. Duke folur për “Politico”, Engjëllushe Morina, një bashkëpunëtore e lartë e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, shprehet se misioni paqeruajtës është i domosdoshëm për sigurinë rajonale.
“Nëse NATO-ja tërhiqet, kjo mund t’i inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës dhe të ketë efekt zinxhir në rajon, mes serbëve etnikë në Republikën Sërpska në Bosnje”- shprehet ajo. “Jemi mjaft të shqetësuar për përpjekjet për të reduktuar misionin”-, tha një diplomat i pestë i lartë i NATO-s, – pasi gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”- theksoi ai.
I kontaktuar nga “Politico”, një zyrtar i NATO-s, duke folur në emër të organizatës, tha se nuk ka asnjë afat kohor të lidhur me Misionin e Aleancës në Irak ose me KFOR-in në Kosovë. “Këto misione bazohen në nevojë, i nënshtrohen rishikimit periodik dhe përshtaten me evoluimin e rrethanave.”- u shpreh ai, ndërsa për momentin, nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e asnjërit prej atyre operacioneve.
Që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, ai ka shkurtuar angazhimet e SHBA-së jashtë vendit. Së fundmi ai ua ka dorëzuar disa nga komandat kryesore të Aleancës vendeve evropiane, ndërsa kërkon të rifokusojë politikën e tij të jashtme rreth sigurisë kombëtare. /rtsh/

