
Arben Vitia: Gjendja e Hysni Mehanii stabile pas trajtimit në spital, dhuna e papranueshme në shoqëri
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se ka vizituar në spital Hysni Mehanii, duke konfirmuar se gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Sipas Vitisë, pas vizitës dhe ekzaminimeve mjekësore të realizuara, Mehanii ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet t’i nënshtrohet kontrolleve dhe analizave shtesë për vlerësim më të detajuar të gjendjes së tij.
Në reagimin e tij publik, Vitia ka dënuar ashpër aktet e dhunës, duke theksuar se ato nuk duhet dhe nuk guxojnë të përdoren si formë komunikimi në një shoqëri demokratike.
“Pavarësisht bindjeve politike, dhuna mbetet e papranueshme. Sulmet fizike ndaj përfaqësuesve politikë, aktivistëve apo qytetarëve cenojnë drejtpërdrejt frymën demokratike të vendit tonë”, ka deklaruar ai.
Ministri në detyrë i ka uruar Mehanit shërim të shpejtë dhe ka shprehur mbështetjen e tij të plotë, duke shtuar se Kosova ka nevojë për debat të bazuar në ide, argumente dhe vizion, e jo për dhunë apo forma të frikësimit.

