Prokuroria e heton si `vrasje e foshnjës gjatë lindjes`

Prokuroria e heton si `vrasje e foshnjës gjatë lindjes`

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetimet për një rast që e kanë cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur në Emergjencën e Ferizajt të hënën në mbrëmje.

Në njoftim thuhet se me vendim të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” nga neni 176 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

‘E dyshuara në këtë rast ndodhet në trajtim në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt, ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML)”, theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave të rastit në fjalë.

Spitali i Ferizajit jep detaje për vdekjen e foshnjës së porsalindur

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt përmes një njoftimi ka dhë detaje lidhur me rastin e ndodhur dje në hapësirat e Shërbimit Emergjent të këtij spitali, ku një foshnje e porsalindur është raportuar se ka ndërruar jetë.

Sipas njoftimit të Policisë, një grua e dyshuar raportohet se ka lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës në Ferizaj, teksa foshnja është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka ndërruar jetë pak kohë më vonë.

Sipas njoftimit të spitalit, pacientja është paraqitur me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore. Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.

Tutje theksohet se foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit.

“Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore”, thuhet tutje në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizajt, ku është bërë e ditur se ky institucion shëndetësor është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. /rtk/

Share This