Liderët e BE-së dënojnë sulmet e fundit ruse ndaj ndërtesave qeveritare ukrainase

Liderët e BE-së dënojnë sulmet e fundit ruse ndaj ndërtesave qeveritare ukrainase

Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke i interpretuar ato si dëshmi të mungesës së gatishmërisë së presidentit Vladimir Putin për të negociuar.

“Edhe një herë, Kremlini po tall diplomacinë, po shkel ligjin ndërkombëtar dhe po vret pa dallim”, postoi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në X.

“Të flasësh për paqen ndërsa përshkallëzon bombardimet dhe synon ndërtesat qeveritare dhe banesat- ky është versioni i Putinit për ‘paqen’”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian António Costa në X.

Të dy përfaqësuesit e BE-së gjithashtu theksuan vendosjen e një pakete të 19-të sanksioneve – që synojnë Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë.

Këto pritet të kulmojnë me një propozim për akte ligjore në ditët në vijim, të cilat më pas do të duhet të miratohen nga qeveritë e 27 shteteve anëtare të BE-së.

Opsionet e mundshme për masa të reja ndëshkuese, kohët e fundit përfshinin rritje të mëtejshme të tarifave dhe ndalime importi për produktet ruse, si dhe sanksione shtesë për aktorët nga vendet e tjera që përfitojnë nga lufta e Moskës kundër Ukrainës.

Përveç kësaj, është planifikuar një qasje më e vendosur kundër të ashtuquajturës flotë hije ruse që anashkalon sanksionet e energjisë dhe sektorin financiar të Rusisë.

Kjo gjithashtu synon të parandalojë që transaksionet të kryhen gjithnjë e më shumë përmes kriptovalutave.

Idealisht, sanksionet e reja të BE-së duhet të plotësohen me masa të reja ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, nëse kjo do të ndodhë mbetet e paqartë.

Një arsye është se qeveria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po kërkon që evropianët të ndalojnë plotësisht të gjitha importet e energjisë ruse, gjë që vende si Hungaria deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë.

Gjithashtu e diskutueshme brenda BE-së është kërkesa e SHBA-së për të synuar Kinën për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë. /atsh/

Share This