
Zelensky: Rusia pritet të dislokojë edhe 30 mijë trupa të tjerë nga Koreja e Veriut
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi dje në mbrëmje se Koreja e Veriut pritet t’i dërgojë Rusisë trupa të tjerë dhe armë të rënda për luftën në Ukrainë.
Sipas Zelensky, Rusia po përgatitet të dislokojë edhe 30 mijë ushtarë të tjerë koreano-veriorë në rajonin e Voronezhit.
Ai shtoi se Pheniani synon gjithashtu t’i furnizojë Rusisë platforma shtesë për lëshimin e raketave balistike.
Zelensky tha se këto veprime janë pjesë e planeve ushtarake të Moskës për vjeshtën e ardhshme.
Duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës ukrainase, ai u shpreh se presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të mos tregojë asnjë synim për të arritur paqe.
Presidenti ukrainas e cilësoi mbështetjen e planifikuar të Koresë së Veriut për Rusinë, si një kërcënim veçanërisht për Azinë.
“Rusia po e ndihmon Korenë e Veriut të mësojë se si zhvillohet lufta, të përmirësojë armët e saj dhe t’i japë përvojë në përdorimin real të tyre. E gjithë kjo përbën një kërcënim për të gjitha vendet e Azisë, që ndodhen brenda rrezes së raketave koreano-veriore”, tha ai.
Sipas Zelensky, Koreja e Veriut kishte dërguar deri në 15 mijë ushtarë, për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës gjatë vitit të kaluar.
Këta ushtarë ndihmuan Moskën të rimerrte territore në rajonin e Kurskut, të cilat Ukraina i kishte pushtuar gjatë një ofensive të befasishme.
Sipas vlerësimeve të pakonfirmuara, të paktën 2 mijë ushtarë koreano-veriorë janë vrarë.
Rusia dhe Koreja e Veriut kanë nënshkruar një traktat partneriteti strategjik.
Vetëm pak ditë më parë, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve rikonfirmuan partneritetin e ngushtë mes Moskës dhe Phenianit. /atsh/

