Zelensky: Putini nuk po përgatitet t’i japë fund luftës pavarësisht takimit me Trump

Zelensky: Putini nuk po përgatitet t’i japë fund luftës pavarësisht takimit me Trump

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se presidenti rus Vladimir Putin po përgatitet për “operacione të reja ofensive” – pavarësisht samitit të paqes me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të planifikuar të premten, në Alaska, sipas “Abcnews”.

Luftime të ashpra po vazhdojnë në vijën e parë te frontit, me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi – ndërsa SHBA-ja dhe Rusia përgatiten për takimin e së premtes.

Përfaqësuesit ukrainas nuk pritet të marrin pjesë, megjithëse një burim në zyrën e Zelensky tha dje se “gjithçka ishte shumë fluide”.

Zelensky dhe zyrtarët e tij kanë kaluar në një ofensivë diplomatike përpara takimit, duke kërkuar mbështetje për kërkesat kryesore të Ukrainës në çdo marrëveshje paqeje.

Presidenti ukrainas tha se Putini nuk ishte gati t’i jepte fund luftimeve, pavarësisht takimit të së premtes në Alaska.

Duke cituar një raport të sherbimit sekret dhe komandës së tij ushtarake, Zelensky tha se Putini – përfundimisht nuk po përgatitej për një armëpushim apo për t’i dhënë fund luftës.

“Putini është i vendosur ta paraqesë takimin me Amerikën si fitoren e tij personale dhe pastaj të vazhdojë të veprojë saktësisht si më parë, duke ushtruar të njëjtin presion mbi Ukrainën si më parë”, tha Zelensky.

“Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se rusët kanë marrë sinjale për t’u përgatitur për një situatë pas luftës”, shtoi ai.

“Përkundrazi, ata po ripozicionojnë trupat dhe forcat e tyre në mënyra që sugjerojnë një përgatitje për operacione të reja ofensive”, theksoi Zelensky.

Zelensky tha se Kievi nuk do të lëshonte asnjë territor, nuk do të braktiste ambiciet e tij për në NATO dhe nuk do të lejonte asnjë kufizim në forcat e armatosura.

Ndër kërkesat e Moskës janë që Ukraina të lëshojë disa rajone – jo të gjitha të cilat kontrollohen nga trupat ruse – në jug dhe lindje të vendit; të pranojë kufizime në madhësi dhe sofistikimin e ushtrisë së saj; dhe të përjashtohet përgjithmonë nga NATO.

Putini gjithashtu kërkon që të gjitha sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë të hiqen në rast të një marrëveshjeje paqeje.

“Kërkesat e Rusisë përbëjnë një përpjekje për “të ndarë” Ukrainën”, tha Zelensky. /atsh/

Share This