Zelensky: Bisedimet tripalëshe për paqen në Ukrainë mund të zhvillohen në Turqi

Zelensky: Bisedimet tripalëshe për paqen në Ukrainë mund të zhvillohen në Turqi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Turqia është e gatshme të presë raundin e ardhshëm të bisedimeve tripalëshe për paqe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sipas Reuters.

Ai e bëri këtë njoftim pas një bisede me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Sipas presdientit Zelensky, Ankaraja ka shprehur gatishmëri për të organizuar takimin dhe Ukraina e mirëpret këtë iniciativë, duke shpresuar që bisedimet të çojnë në progres real drejt përfundimit të luftës.

Këto negociata janë pjesë e një serie takimesh tripalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA –ja për t’i dhënë fund luftës që filloi me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022. Raunde të mëparshme janë zhvilluar në vende të ndryshme, përfshirë Abu Dabin dhe Gjenevën, por deri tani nuk kanë arritur një marrëveshje për armëpushim.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve ishte planifikuar më herët për fillimin e marsit, por u shty pjesërisht për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe ndryshimit të prioriteteve diplomatike të disa vendeve partnere të Ukrainës.

Zelensky ka deklaruar gjithashtu se Ukraina është e gatshme për negociata në çdo moment, por theksoi se Rusia duhet të tregojë vullnet real për kompromis për të arritur një marrëveshje paqeje.

Nëse takimi zhvillohet në Turqi, ai mund të rikthejë rolin e Ankarasë si ndërmjetës në konflikt, pasi vendi ka organizuar edhe bisedime të mëparshme mes palëve gjatë viteve të para të luftës. /atsh/

Share This