
Zafir Berisha i bashkohet AAK-së: “Jam këtu për të luftuar të keqen që e ka kapluar vendin”
Zafir Berisha ka konfirmuar se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai tha se vendimi për të hyrë në garë lidhet me nevojën, sipas tij, për t’iu kundërvënë “të keqes” që ka pushtuar vendin.
Berisha theksoi se lidhja e tij me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, nuk është rastësore, por rrjedh nga e kaluara e përbashkët për lirinë dhe përgjegjësia ndaj shtetit.
“Me Ramush Haradinajn më lidh e kaluara për lirinë dhe përgjegjësia ndaj vendit. Rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, shkroi ai në Facebook.
Ai u ndal edhe te zërat se mund të rreshtohej krah kandidatit të PDK-së, Bedri Hamza, por i hodhi poshtë ato, duke e quajtur Hamzën një “kandidat kukull” në duart e, siç tha, “pionerëve pa libreza të PDK-së”.
Sipas Berishës, Hamza po përdoret për skenarë të ngjashëm me ata të 9 shkurtit, ndërsa ai vetë nuk ka mundur të jetë pjesë e “asaj loje”.
“Jam në këtë garë për Kosovën, jo për figurina politike që tunden sipas interesave të dikujt tjetër”, përfundoi Berisha.

