
Viziton më 10 nëntor Shtëpinë e Bardhë- Departamenti i Thesarit i heq emërtimin si “terrorist” presidentit sirian
Departamenti amerikan i Thesarit ka hequr sot emërtimin si “Terrorist Global i përcaktuar posaçërisht” (Specially Designated Global Terrorist – SDGT) ndaj presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe ministrit të Brendshëm të Sirisë, Anas Khattab, vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mori të njëjtin vendim.
Ky zhvillim vjen pak ditë para vizitës historike të presidentit al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë më 10 nëntor, ku ai do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump – takimi i parë i një kreu sirian në Uashington që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.
Njoftimi i Thesarit amerikan, i publikuar në faqen zyrtare të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), konfirmon heqjen e të gjitha emërtimeve që lidheshin me al-Sharaan dhe Khattabin si pjesëtarë të ish-grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), organizatë që deri në korrik 2025 konsiderohej si degë e al-Kaedës në Siri.
Vetëm 24 orë më herët, më 6 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi me 14 vota pro (Kina abstenoi) rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve ndaj të njëjtëve zyrtarë, duke i larguar ata nga lista e ISIL-it dhe al-Kaedës.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, e quajti vendimin “sinjal të fortë politik se Siria ka hyrë në një epokë të re pas rrëzimit të Bashar al-Assadit”.
Abu Mohammad al-Jolani, drejtoi për vite me radhë HTS-në, grup që u shndërrua nga Fronti al-Nusra (dega zyrtare e al-Kaedës në Siri) në forcën kryesore që rrëzoi regjimin 54-vjeçar të familjes Assad më 8 dhjetor 2024. Në maj të vitit 2013, SHBA-ja e kishte shpallur atë SDGT dhe kishte vënë një shpërblim 10 milionë dollarë për kapjen e tij.
Transformimi i shpejtë diplomatik filloi në maj 2025, kur presidenti Trump u takua me al-Sharaan në Riad (në prani të princit saudit Mohammed bin Salman) dhe shpalli heqjen e plotë të sanksioneve amerikane ndaj Sirisë.
Në qershor, Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për revokimin e sanksioneve; në korrik, Departamenti i Shtetit hoqi emërtimin terrorist për HTS-në.
Ministria e Jashtme siriane e ka mirëpritur vendimin amerikan, duke e quajtur “reflektim të qëndrimit të bashkuar ndërkombëtar në mbështetje të stabilitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Sirisë”.
Ndërkaq, sanksionet e mbetura më të rrepta – ato të miratuara nga Kongresi nën Aktin Caesar të vitit 2019 – kërkojnë ende votim të veçantë parlamentar për t’u hequr plotësisht.
Gjatë vizitës më 10 nëntor në Uashington, pritet që al-Sharaa të nënshkruajë marrëveshje për anëtarësimin zyrtar të Sirisë në koalicionin global kundër ISIS-it, si dhe të kërkojë mbështetje amerikane për rindërtimin e vendit dhe heqjen përfundimtare të sanksioneve Caesar. /rtsh/


