
Rusia bombardon sërish Kievin, vriten 21 persona
Kievi u bombardua gjatë natës nga sulmi i dytë më i madh ajror i Rusisë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës, me të paktën 21 të vrarë, përfshirë katër fëmijë.
Nga sulmet ruse u dëmtuan ndërtesat e BE-së dhe Këshillit Britanik, duke sjellë kështu reagimin e menjëhershëm të ndërkombëtarëve e britanikëve të cilët thirrën diplomatët më të lartë rusë në kryeqytetet e tyre.
Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko bëri me dije se mes viktimave ka edhe fëmijë të moshave 2, 17 dhe 14 vjeç.
Forcat ajrore të Ukrainës deklaruan se Kremlini lëshoi 629 armë sulmi ajror në vend gjatë ditës, duke përfshirë 598 dronë dhe 31 raketa.
Ministria e mbrojtjes e Rusisë reagoi duke thënë se goditi “ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial dhe bazat ajrore ushtarake në Ukrainë” duke përdorur “armë me precizion të lartë”. /rtsh/


