
Vinicius i vendos ultimatum Real Madridit: 25 milionë euro në vit ose s’ka marrëveshje
Ylli brazilian i Real Madridit, Vinicius Jr., ka vendosur një kusht të prerë për rinovimin e kontratës së tij, pagë neto vjetore prej 25 milionë eurosh.
Sipas “Cadena SER”, nëse klubi nuk e përmbush këtë kërkesë, nuk do të ketë marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Aktualisht, Vinicius fiton rreth 15 milionë euro në sezon dhe ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027.
Megjithatë, ai beson se kontributi i tij në fushë, përfshirë rolin kyç në sukseset e fundit të klubit, e justifikon një pagë më të lartë – madje edhe më të madhe se ajo e Kylian Mbappé, i cili u bashkua këtë verë me “Los Blancos”.
Real Madrid, megjithatë, nuk është i gatshëm të tejkalojë strukturën aktuale të pagave, e krijuar për të ruajtur stabilitetin financiar dhe barazinë brenda ekipit. Kjo ka bërë që bisedimet të bllokohen përkohësisht.
Pavarësisht ofertave joshëse nga klubet saudite, Vinicius i ka refuzuar të gjitha dhe ka shprehur qartë se dëshiron të qëndrojë në Madrid. Por insistimi i tij për një rritje drastike page ka krijuar një ngërç serioz në negociata.
Burime të afërta me klubin konfirmojnë se presidenti Florentino Perez do të përfshihet personalisht në negociatat me lojtarin, por kjo pritet të ndodhë vetëm pas kthimit të Viniciusit nga pushimet gjatë muajit gusht.
Fati i rinovimit mund të varet edhe nga forma e brazilianit në sezonin e ardhshëm – një performancë e lartë mund ta detyrojë Realin të pranojë kërkesat e tij, ndërsa një rënie në nivel mund ta shtyjë klubin të konsiderojë largimin e tij për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm. /Rekordi.net

