
ATK-së i bashkohen 39 punonjës të rinj, 32 prej tyre inspektorë
Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar 39 punonjës të rinj, përfshirë 32 inspektorë fillestarë dhe shtatë mbledhës të borxheve.
Sipas ATK-së, rekrutimi synon të rrisë kapacitetet profesionale dhe operacionale të institucionit në fushën e inspektimit tatimor dhe mbledhjes së borxheve.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar suksese punonjësve të rinj dhe ka vlerësuar procesin e përzgjedhjes.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, ka thënë Hyseni, raporton rtk.
Sipas ATK-së, në fazat e vlerësimit të procesit të rekrutimit kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë.
Përzgjedhja e punonjësve të rinj është bërë përmes një procesi publik dhe konkurrues, nga një komision i jashtëm, me theks te kriteret e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe objektivitetit.
ATK ka thënë se me këtë rekrutim synon të forcojë kapacitetet në inspektimin tatimor dhe mbledhjen e borxheve, si dhe të avancojë administrimin e detyrimeve tatimore dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve.

