Tuchel: Anglia nuk është favorite për ta fituar Botërorin 2026

Tuchel: Anglia nuk është favorite për ta fituar Botërorin 2026

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Thomas Tuchel, ka deklaruar se ekipi i tij nuk duhet të konsiderohet favorit për triumf në Kupën e Botës 2026, pavarësisht se renditet ndër pretendentët kryesorë sipas parashikimeve.

Turneu botëror nis këtë të enjte në ShBA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas kompanisë së statistikave sportive “Opta”, Anglia është favoritja e tretë për ta fituar trofeun, pas Spanjës dhe Francës.

Megjithatë, Tuchel theksoi se mungesa e suksesit në turnetë madhorë gjatë dekadave të fundit e pengon Anglinë të konsiderohet favorite.

“Nuk mund të jemi ndër favoritët kryesorë, sepse nuk kemi fituar një trofe për një kohë shumë të gjatë. Favoritët janë kombëtaret që kanë treguar se dinë të fitojnë turne të mëdhenj. Ne mund të garojmë për trofeun dhe të ëndërrojmë, por duhet të fokusohemi te puna dhe përgjegjësia”, deklaroi tekniku gjerman, raporton RTKLive.

Spanja kryeson parashikimet

Sipas simulimeve të “Opta”-s, Spanja është favoritja kryesore për titull me 15.9 për qind shanse për triumf. Pas saj vijnë Franca me 13.2 për qind, Anglia me 10.9 për qind dhe kampionia në fuqi, Argjentina, me 10.5 për qind.

Në listën e pretendentëve renditen gjithashtu Portugalia, Brazili, Gjermania dhe Holanda.

“Ne e dimë se çfarë nevojitet për të fituar. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të përqendruar në çdo hap. Nëse dëshiron të arrish majën e malit, duhet të ecësh hap pas hapi. Kemi besim, por ai duhet të shoqërohet me disiplinë, punë të palodhur dhe aftësi për t’u përballur me vështirësitë”, u shpreh Tuchel.

Anglia synon të ecë hap pas hapi

Anglia mbërrin në Botërorin 2026 pas disa paraqitjeve të mira në turnetë e fundit, ku arriti gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 dhe finalet e dy Kampionateve Evropiane radhazi.

Në Botërorin e fundit në Katar, anglezët u eliminuan nga Franca në çerekfinale, ndërsa në finalet e Euro 2020 dhe Euro 2024 u mposhtën respektivisht nga Italia dhe Spanja.

“Kur arrin në çerekfinale, gjithçka është e mundur. Por nuk duhet të mendojmë për të gjithë turneun menjëherë. Fokusi ynë është faza e grupeve dhe fitimi i saj. Duhet të kemi respekt maksimal për çdo kundërshtar dhe të mos harrojmë se në turne të tillë ndikojnë edhe faktorë si dëmtimet apo momentet e fatit”, përfundoi trajneri i Anglisë.

Share This