
Trump paralajmëron investimin më të madh ushtarak në historinë e vendit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të shpenzojë mbi 1 trilion dollarë për ushtrinë në vitin 2026, duke e cilësuar këtë si investimin më të madh ushtarak në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjatë një fjalimi përballë mbështetësve të tij, Trump tha se ky buxhet rekord është pjesë e zotimit të tij për të rikthyer fuqinë ushtarake të vendit.
“Shpresoj t’ju pëlqejë kjo. Është një shumë marramendëse parash”, u shpreh ai me ironi, duke marrë duartrokitje nga audienca. Deklarata e tij vjen në një moment kur çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes janë kthyer në temë të nxehtë politike në SHBA.
Premtimi i Trump ka ngjallur reagime të ndryshme në Uashington, ku shumë zyrtarë dhe analistë paralajmërojnë debat për shpenzimet. Një pjesë e opinionit publik është e ndarë për këtë plan, ndërsa mbështetësit e shohin si të nevojshëm për të ruajtur epërsinë globale.
Trumpi është zotuar se do të forcojë të gjitha kapacitetet ushtarake, nga arsenali bërthamor deri te teknologjitë e reja. Ai e ka konsideruar këtë investim një garanci për sigurinë kombëtare dhe rolin udhëheqës të Amerikës në NATO. SHBA-ja aktualisht është kontribuuesi më i madh financiar në aleancën ushtarake perëndimore.
Ndërkombëtarisht, kjo deklaratë pritet të rrisë interesin dhe reagimet nga partnerët dhe rivalët e Amerikës. Buxheti i ri, nëse miratohet, do të përbëjë një prej vendimeve më të mëdha në historinë moderne të mbrojtjes amerikane. /rtsh/

