Kurti në SHBA: Aktgjykimi i Speciales përmban pasaktësi faktike e gabime ligjore

Kurti në SHBA: Aktgjykimi i Speciales përmban pasaktësi faktike e gabime ligjore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, me të cilin ka diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas tij, përmban “pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore”.

Ai ka shprehur pritjen që këto çështje të korrigjohen në procedurën e apelit.

Kryeministri tha se pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, sikurse ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile.

Kryeministri Kurti theksoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shtoi se shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike.

“Pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës. Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”, tha ai..

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë dhe dënuan me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ata u dënuan për krime lufte.

Kryeministri Kurti në takim e falënderoi kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe për bashkëpropozimin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës.

Kryeministri e informoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë votimin e Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 13 shtator, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dypalësh, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e mbrojtjes. Ndërsa, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, sidomos në energji, teknologji dhe prodhim, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në New York si urë për tregti dhe investime.

Kurti ka thënë se në takimin me Lawler është diskutuar edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“I kërkova mbështetjen e tij për trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, i cili ndikon në të drejtat e tyre të votimit dhe në qasjen në dokumentet zyrtare”, ka shkruar ai.

Në takim, sipas Kurtit, ka marrë pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Takimi me Lawler vjen në kuadër të vizitës së Kurtit në SHBA, ku ai po zhvillon takime në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e Kurtit në SHBA pason deklarimet e tij për nevojën e një strategjie shtetërore lidhur me reagimin ndaj aktgjykimit të Speciales. Më herët ai ka theksuar se Qeveria do të mbështesë ekipet mbrojtëse në procedurat e apelit dhe do të angazhohet edhe në rrafshin diplomatik. /rtk/

Share This