
Trump optimist për armëpushimin në Gazë, Izraeli vijon sulmet vdekjeprurëse ndaj palestinezëve
Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan se mbi 30 persona u vranë në territorin palestinez si pasojë e sulmeve izraelite.
Raportimet vijnë ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se brenda javës së ardhshme pritet të arrihet një armëpushim. Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan ndalimin e luftimeve mes Hamasit Izraelit në mes të janarit, por shteti hebre e theu armëpushimin në mars, duke nisur sulme të reja shkatërruese ndaj grupit militant palestinez, i cili sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023.
Nga ajo kohë për më shumë se dy muaj Tel-Avivi ndaloi hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, por furnizimet rinisën muajin e kaluar përmes Fondacionit Humanitar të Gazës, i cili mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kritikuar ashpër këtë sistem shpërndarjeje duke thënë se po çon në vrasje masive të njerëzve që kërkojnë ndihmë, akuza që kanë nxitur Izraelin të thotë se OKB po mbështet Hamasin.
Ministria e Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga militantët palestinezë thotë se që nga fundi i majit, më shumë se 500 persona janë vrarë pranë qendrave të ndihmës, ndërsa prisnin të merrnin ushqime.
Organizata Mjekët pa Kufij e cilësoi shpërndarjen e ndihmës nga fondacioni i mbështetur nga SHBA si masakër të maskuar si ndihmë humanitare, por Izraeli mohon se ka shënjestruar civilë në ato qendra shpërndarjeje. /rtsh/


