Trump: Kompanitë amerikane të naftës të investojnë në Venezuelë

Trump: Kompanitë amerikane të naftës të investojnë në Venezuelë

Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje drejtuesve të kompanive të mëdha amerikane të naftës që të rrisin ndjeshëm investimet në Venezuelë, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur pas takimit, presidenti Trump tha se kompanitë amerikane do të investonin qindra miliarda dollarë në Venezuelë, pa dhënë detaje konkrete.

Më herët, në prani të gazetarëve, drejtori ekzekutiv i “Exxon”, Darren Woods, deklaroi se kushtet ligjore dhe ekonomike në Venezuelë aktualisht e bëjnë të pamundur investimin.

Në hapje të takimit, Trump u tha drejtuesve se dëshironte që kompanitë amerikane të naftës të angazhoheshin me të paktën 100 miliardë dollarë për të rritur prodhimin e naftës në Venezuelë.

“Nëse nuk doni të hyni, thjesht më njoftoni, sepse kam 25 persona që nuk janë këtu sot dhe janë të gatshëm të zënë vendin tuaj”, tha Trump.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela po punojnë mirë së bashku për të rindërtuar infrastrukturën energjetike të vendit të Amerikës së Jugut”, shtoi Trump.

Më pas, Trump u kërkoi gazetarëve të largoheshin nga salla, duke thënë se do të fillonte negociatat me drejtuesit e kompanive.

“Ne disi formuam një marrëveshje”, tha ai më pas, duke e cilësuar takimin si “të shkëlqyer”.

“Ata do të hyjnë me qindra miliarda dollarë në shpime për naftë dhe kjo është e mirë për Venezuelën dhe shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara,” u shpreh Trump, pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Share This