Trump dhe Putin: Dialog konstruktiv, por pa marrëveshje përfundimtare

Trump dhe Putin: Dialog konstruktiv, por pa marrëveshje përfundimtare

Pas përfundimit të takimit historik në Anchorage të Alaskës, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump deklaruan se kanë zhvilluar bisedime të hapura dhe konstruktive, me theks të veçantë te konflikti në Ukrainë. Megjithëse nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare, të dy liderët shprehën vullnet për të vazhduar përpjekjet diplomatike.

Presidenti Trump deklaroi se ai dhe presidenti Putin “bënë disa hapa përpara” dhe “arritën përparim të madh” gjatë takimit të tyre dypalësh.

Megjithatë, ai theksoi: “Nuk ka marrëveshje, derisa të ketë një marrëveshje.”

“Do të kontaktoj NATO-n shumë shpejt. Do të flas me personat që mendoj se janë të përshtatshëm. Dhe, sigurisht, do ta telefonoj Presidentin [Volodymyr] Zelensky për ta informuar për takimin e sotëm. Në fund të fundit, vendimi u takon atyre,” tha Trump.

“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika,” tha ai, por shtoi: “Nuk arritëm deri në fund, por kemi një mundësi shumë të mirë për ta arritur.”

Ai shtoi se Presidenti Putin “dëshiron ta shohë fundin e luftës po aq sa edhe unë.”

Nga ana tjetër presidenti Putin deklaroi se negociatat u zhvilluan në një “atmosferë konstruktive dhe me respekt reciprok”. Ai theksoi rëndësinë simbolike të vendit ku u mbajt samiti, duke përmendur afërsinë gjeografike mes dy vendeve.

“Nuk ka pasur samit mes SHBA-së dhe Rusisë për më shumë se katër vjet. Na u desh ta ndryshonim situatën – nga përballja te dialogu,” tha Putin.

Ai deklaroi se tema qendrore e diskutimit me Presidentin amerikan Donald Trump ishte konflikti në Ukrainë.

Presidenti rus theksoi se për të arritur një zgjidhje “të qëndrueshme dhe afatgjatë”, është e domosdoshme të eliminohen “shkaqet kryesore të konfliktit”, pa dhënë detaje se cilat janë konkretisht ato shkaqe.

“Jam dakord me presidentin Trump që siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Ky takim nuk do të përdoret për marrëveshje të fshehta. Është thelbësore që dy vendet tona t’i rikthehen bashkëpunimit,” tha Putin.

Në përfundim të konferencës, asnjëri prej presidentëve nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve. /rtk/

Share This