
Trafiku Urban ndalon qarkullimin nga nesër, ndërmarrja fajëson bllokimin e buxhetit
Trafiku Urban ka reaguar pas njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se për shkak të bllokimit të buxhetit nga Ministria e Financave, transporti publik në kryeqytet do të ndalet nga nesër.
Ndërmarrja konfirmoi se të gjitha linjat do të ndërpriten duke filluar nga e hëna, 24 nëntor 2025.
Në reagimin e saj, Trafiku Urban thotë se është detyruar të marrë këtë vendim për shkak të mungesës së karburanteve dhe vështirësive të rënda financiare.
“Përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025,” thuhet në njoftim.
Ndërmarrja njofton se qarkullimi do të rifillojë vetëm pasi Ministria e Financave të lëshojë mjetet që i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet financiare ndaj saj.
“Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave,” theksohet tutje.
Trafiku Urban insiston se pavarësisht situatës aktuale, ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, por vonesat në pagesat e Komunës së Prishtinës kanë krijuar një gjendje të paqëndrueshme që e ka bërë të pamundur vazhdimin e operimit.
Në fund, ndërmarrja kërkon falje për ndërprerjen e shërbimit, duke theksuar se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në zgjidhjen e problemit financiar.


