Të paktën 20 të vrarë në një sulm izraelit në jug të Sirisë

Të paktën 20 të vrarë në një sulm izraelit në jug të Sirisë

Një operacion ushtarak izraelit në jugperëndim të Sirisë ka lënë të paktën 20 persona të vrarë, njoftoi sot ministria e Jashtme siriane, në atë që cilësohet si inkursioni më i madh që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad.

Përleshjet në Beit Jinn, pranë një zone tampon afër Lartësive të Golanit të aneksuara nga Izraeli, raportohet se nisën kur trupat izraelite hynë në sot në qytet.

“Dhjetëra familje janë larguar drejt fermave të Beit Jinn-it, qytetit Saasaa, fshatrave përreth, si dhe drejt Damaskut dhe rrethinave të tij”, tha Waaled Akkass kryetari i komunës së Beit Jin. “Banorët po jetojnë në frikë”, shtoi ai.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se operacioni  u ndërmor për të arrestuar dy anëtarë të grupit ekstremist al-Jama’a al-Islamiya, të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj civilëve izraelitë.

Sipas IDF-së, persona të armatosur hapën zjarr ndaj ushtarëve izraelitë, të cilët u kundërpërgjigjën dhe morën mbështetje ajrore.

Tre ushtarë izraelitë u plagosën rëndë, ndërsa disa militantë u vranë dhe të gjithë të dyshuarit u ndaluan.

Ministria e Jashtme siriane e dënoi sulmin kriminal, duke e quajtur incidentin “krim të mirëfilltë lufte dhe një masakër të tmerrshme që mori jetën e mbi 20 civilëve, përfshirë gra e fëmijë”.

Pas rrëzimit të Assad-it, Izraeli vendosi trupa në zonën tampon të kontrolluar nga OKB mes Lartësive të Golanit dhe territorit të kontrolluar nga Siria, duke e justifikuar masën me nevojën për të penguar vendosjen e grupeve radikale në rajonin kufitar.

Sipas mediave izraelite, anëtarët e ndaluar të al-Jama’a al-Islamiya më parë kishin lëshuar raketa drejt Izraelit.

Grupi është i lidhur me milicinë pro-iraniane Hezbollah në Liban dhe me grupin militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës. /atsh/

Share This